Mislav Karoglan nuk do të jetë më trajner i Ballkanit. Klubi nga Suhareka ka njoftuar për përfundimin e bashkëpunimit me trajnerin kroat, i cili për arsye personale ka vendosur të largohet nga drejtimi i skuadrës. Karoglan mori drejtimin e Ballkanit me synimin për ta udhëhequr ekipin drejt objektivave të klubit, ndërsa sezonin e kaluar skuadra e përfundoi në vendin e tretë në Superligën e Kosovës. “E falënderojmë për punën dhe bashkëpunimin gjatë kësaj periudhe. Ishte kënaqësi ta kishim pjesë të familjes së Ballkanit dhe i jemi mirënjohës për kontributin e tij në klub”, thuhet në njoftimin e klubit. Në garat evropiane, Ballkani nën drejtimin e Karoglanit u përball me Bohemiansin e Irlandës, të cilin e eliminoi pas ekzekutimit të penalltive. Sezonin e ri, skuadra nga Suhareka e kishte nisur me një humbje dhe një fitore, përpara se të konfirmohej largimi i trajnerit kroat. Karoglan gjatë karrierës së tij ka drejtuar edhe klube si Hajduk Split, Istra 1961 dhe Sheriff Tiraspol. Tashmë, Ballkani pritet të nisë kërkimet për trajnerin e ri që do ta drejtojë skuadrën në vazhdim të sezonit.

