Bajerni do titullin e gjashtë nën “regjinë” e Levandovskit!

Nuk pritej të ishte shumë e vështirë dhe nuk doli e tillë, por gjithsesi ndeshjet e futbollit duhen luajtur. Bajerni e bëri këtë në Katar dhe fitoi 2-0 gjysmëfinalen e Kupës së Botës për Klubet ndaj Al Ahlit. Robert Levandovski ishte sërish “violinë e parë” e bavarezëve duke shënuar të dy golat, në 17’ dhe 85’. Skuadra e trajnerit Hansi Flik është pranë titullit të gjashtë të sezonit pas Bundesligës, Championsit, Kupës së Gjermanisë, Superkupës së Europës dhe Superkupës së Gjermanisë. Nëse i bën gjashtë, barazon Barcelonën e Guardiolës dhe të Mesit të vitit 2009.

Dominimi i kampionëve të Europës ishte i plotë me 24-5 gjuajtjet, me 68 për qind mbajtje të topit dhe 63 për qind të dueleve të fituar. Gjithsesi, goli i dytë erdhi vonë, edhe pse egjiptianët, ekipi i mbiquajtur “i popullit”, nuk krijuan dot rreziqe. Bajerni do të luajë finalen ndaj Tigresit të Meksikës, dhe do të kërkojë titullin e dytë me formatin e ri, dhe të katërtin në total.

Bajerni: Nojer, Pavar, Boateng (Zyle 77’), Alaba, Dejvis, Kimih, Roka (Toliso 69’), Koman (Musiala 78’), Tomas Myler (Çupo-Moting 62’), Gnabri (Sane 62’), Levandovski. Tr. Flik.

Sfidanti.al