Astana në telashe para Dinamos

Trajneri i Astanës, Grigori Babajan, ka shpjeguar se ekipi i tij do të përballet me peripeci të mirëfillta e vështirësi për sfidën ndaj Dinamos në Ligën e Konferencës. Skuadra kazake ka vështirësi financiare dhe është dashur të rregullojë udhëtimin drejt Shqipërisë me tranzite të gjata që padyshim do të vështirësojnë përgatitjen për ndeshjen. Përtej kësaj, asaj do i duhet që të kthehet menjëherë në Kazakistan, pasi me datë 12 luan një sfidë ndaj Aktobes.

“Si do ia dalim? Do të udhëtojmë që më datë 7 nëpërmjet Stambollit ku na pret një tranzit shumë i gjatë e pastaj të udhëtojmë drejt Shqipërisë, të luajmë, të fluturojmë mbrapsht ditën e nesërme dhe një ditë më vonë të luajmë kundër Aktobes. Nuk mund të riskedulojmë të gjitha ndeshjet. Nuk e dinim deri në minutën e fundit dhe shpresonim që të merrnim disa lojtarë për rotacion.

Tani kemi lojtarë të rinj, ndaj do të luajnë ata që kemi. Gjithsesi, Liga e Konferencës është një turne prestigjioz dhe do ta trajtojmë me shumë seriozitet. Aktualisht vetëm po mendojmë për ndeshjen e parë. Më pas do të shohim se kush do të jetë më i freskët. Ka disa të rinj të cilët po stërviten me ne. Ta shohim, është e vështirë ta parashikosh tani.

Sa u përket objektivave tanë në Europë, vitin e kaluar ne luajtëm deri në fund. Kishim një ekip me 20 lojtarë. Tani, ne kemi gjysmën, me shumë të rinj. Nuk po vendosim më objektiva të tillë. Thjesht po i marrim gjërat ndeshje pas ndeshje. Aktualisht, e vetmja gjë për të cilën mendojmë është të luajmë një ndeshje të mirë ndaj Dinamos, pasi përballemi me një ekip të fortë.