Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, Fisnik Asllani, është shprehur optimist para kësaj sfide vendimtare, duke theksuar se skuadra është në gjendje shumë të mirë shpirtërore pas fitores së madhe në Bratisllavë ndaj Sllovakisë.
“Atmosfera është shumë e mirë në ekip. Besoj se fitorja na ka dhënë shumë vetëbesim dhe të martën ndaj Turqisë shpresoj të bëjmë një lojë shumë të mirë. Do t’i marrim gjithë tifozët afër vetes dhe shpresojë të fitojmë ndeshjen dhe të shkojmë në Botëror”, ka thënë Asllani.
Ai ka shtuar se skuadra nuk ndikohet nga roli i favoritit të kundërshtarit, duke theksuar se gjithçka vendoset në fushë.
“Nuk më intereson mua, e besoj as ekipit. Në fund shikohet në fushë se çfarë bëhet. Ata mund të jenë sa të duan favorit. Ka qenë edhe Sllovakia edhe Suedia. Ne do ta kryejmë punën tonë. Do ta japim maksimumin në fushë dhe të shohim pas përfundimit të ndeshjes”, ka shtuar ai.
Asllani pret përkrahje të madhe nga tifozët, duke premtuar angazhim maksimal nga ana e futbollistëve.
“Pres të na ndihmojnë sa të munden, të na përkrahin brenda fushës, jashtë fushës. Ne do ta japim maksimumin për ata, do ta lëmë zemrën në fushë. Ne me ata e ata me neve do ta fitojmë ndeshjen të martën”, është shprehur Asllani.
sfidanti.al

