Arsenal, pse paguan 80 milionë për Pepen, ku ke talentin Saka?!

Martin Kioun ka qenë një qendërmbrojtës i shquar i Arsenalit të “Të Pathyeshmëve” në fillim të viteve 2000, ndërsa sot në studion e “BT Sportit” ai thekson se klubi i tij duhet të ketë bërë ndonjë gabim. Kiouni po analizonte ndeshjen e londinezëve në fushën e Ajntrahtit të Frankfurtit, duel i Ligës së Europës ku spikati talenti i ri Bukajo Saka. Sulmuesi 18-vjeçar shënoi gol në fitoren 3-0 në Gjermani, dhe Kiouni bëri një krahasim.

“Kur mendon sesi po luan Pepe tani për tani, dhe kur mendon se për të u paguan 72 milionë paundë stërlina (rreth 80 milionë euro), atëherë duket ndonjë gabim sepse ky fëmijë u duk më mirë sesa ai sonte”, – u shpreh Kiouni. Saka shënoi gol, por edhe ndihmoi shumë në suksesin në Frankfurt, dhe ish-qendërmbrojtësi e lavdëroi duke thënë “shikoni se çfarë pjekurie dhe qetësie që ka, me një gol të shënuar shumë bukur, e pabesueshme që është 18 vjeç”. Ish-lojtari i Anglisë dhe i Bajernit, Hargrivs, qeshi duke thënë se “tifozët gjermanë janë mësuar që talentet e rinj anglezë të shikohen në Gjermani, siç ishte Xhejdën Sanço i Dortmundit, dhe ja tani Saka”.

Sfidanti.al