Arrin 200 fitore në Premier Ligë, askush kaq shpejt sa Guardiola!

Në historinë e futbollit anglez ka pasur shumë trajnerë të mëdhenj, dhe vazhdon të ketë. Pep Guardiola, Jurgen Klop, Zhoze Murinjo apo Karlo Ançeloti, sa për të marrë disa emra, vazhdojnë traditën e madhe të Herbert Çepmanit, Mat Basbit, Bill Shenklit, Bob Pejslit, Brajan Kllafit apo Sër Aleks Fergusonit. Pikërisht Guardiola realizoi diçka që asnjë prej këtyre mjeshtrave të së kaluarës, dhe këta të sotmit, nuk ia kanë dalë ta bëjnë.

Ndaj Uest Hemit, arriti fitoren e 200-të në Premier Ligë, dhe kjo në vetëm 273 ndeshje, që të gjitha me Mançester Sitin. Ky është një rekord i kampionatit më të vjetër të botës, pra që nga viti 1889! Gjithsesi, Pep nuk deshi të merrej me fitoret, por theksoi faktin se skuadra e tij duhet të vazhdojë sukseset për të fituar titullin. “Ishte ndeshje e vështirë ndaj Uest Hemit, – tha ai, – ekipi i fortë dhe me cilësi. Në pjesën e dytë luajtëm më mirë, por ishim edhe të lodhur, diçka normale kur ke ngarkesë edhe në Champions, dhe në kupa. Ishim me fat që morëm 3 pikët. Sa për pikët që kemi, mund të them se matematika vlen vetëm në fund të sezonit”.

Sfidanti.al