Marrëdhëniet mes presidentit të FFK-së, Agim Ademi, dhe futbollistit Arbër Zeneli duket se kanë hyrë në një kapitull të ri. Pas disa vitesh ftohjeje dhe mosftesash në Kombëtare, Ademi ka bërë të ditur se raportet janë zgjidhur dhe se sulmuesi do të rikthehet sërish te “Dardanët”. Kreu i FFK-së publikoi një fotografi me Zenelin, duke nënvizuar rëndësinë e këtij takimi: “Sot pata kënaqësinë të takoj një futbollist të jashtëzakonshëm dhe një djalë fantastik, anëtarin e ekipit tonë kombëtar, Arbër Zeneli. Folëm për karrierën e tij, rikuperimin nga lëndimi, rikthimin në nivelin elitar dhe evokuam kujtime nga paraqitjet e tij të paharrueshme. Arbri mbetet një aset i çmuar për Kosovën”, shkroi Ademi. Zeneli, i cili ka lënë gjurmë me paraqitjet e tij për Kosovën, ka munguar rreth dy vite në përfaqësuese për shkak të marrëdhënieve të prishura me institucionin. Megjithatë, mesazhi i fundit i Ademit tregon se palët kanë bërë paqe dhe rikthimi i tij në grumbullim është vetëm çështje kohe.
sfidanti.al