Anglia premton miliona për titullin, por Belgjika “e vogël” e turpëron!

Do të bëhen më të pasur, nëse udhëtimi drejt Rusisë kurorëzohet me sukses. Futbollistëve të Anglisë u është premtuar një shpërblim i rëndësishëm po qe se ata fitojnë Kupën e Botës në 15 korrik në stadiumin “Luzhniki” të Moskës. Federata Angleze ka ndarë veç shifrën e 5 milionë paundë stërlinave, që do të thotë 5.7 milionë euro në total. Secilit lojtar të “tre luanëve” do t’i takonin 250 000 euro ose 217 000 paundë, diçka vërtet e madhe, dhe jo shumë e shpeshtë në historinë e kombëtares më të vjetër të botës.

Gjithsesi, kundërshtari i radhës i Anglisë, Belgjika, ka menduar më shumë për të përzgjedhurit e tij. Federata Belge, që në asnjë mënyrë nuk mund të mendohet më e pasur sesa ajo angleze, ka vendosur shpërblimin prej 10.5 milionë eurove, pra gati dyfishin, nëse “djajtë e kuq” dalin kampionë të botës. Një pjesëtim i thjeshtë nxjerr shifrën e 450 000 eurove për secilin nga lojtarët, Hazarin, De Brujnin, Lukakun, Mertensin e të tjerët.

Sidoqoftë, askush nuk mund të krahasohet me shpërblimin e premtuar nga Brazili. Pesë herë kampionët e botës kanë ndarë veç 34 milionë euro, dhe secilit lojtar i takon nga 850 000 euro. Po kaq, 34 milionë euro, është edhe shpërblimi i caktuar nga FIFA për skuadrën kampione të botës.

Sfidanti.al