Anglia më e fortë se ofendimet në Hungari, me 4-0 harroi finalen e Europianit

Ishin katër lojtarë shumë të mirë që shënuan katër gola dhe “tre luanët” lanë pas zhgënjimin e “Uemblit” ndaj Italisë. Anglia e trajnerit Garet Sauthgejt e rinisi aty ku e kishte lënë fushatën për kualifikim në Kupën e Botës në Katar me fitoren 4-0 në Budapest ndaj Hungarisë, duke treguar diferencën e frikshme që ka me ekipet e tjerë të grupit I. Rahim Stërling, Harri Kejn, Harri Megajer dhe Deklan Rajs shënuan golat, duke u treguar më të fortë sesa sjellja e një pjese të tifozëve vendas që hodhën sende të forta në fushë dhe lëshuan ofendime duke bërë imitime majmunësh, e duke etiketuar lojtarët zezakë të kundërshtarit. Hungaria, një ekip dinjitoz në Europian, nuk pati asnjë shans këtë herë, dhe Anglia ka 12 pikë në 4 ndeshje, me golaverazhin 13-1. Suksesi i saj ndihmoi edhe Shqipërisë, të paktën që të ketë shpresë për vendin e tretë në grup, pasi Hungaria mund të quhet rivale e jona. “Shumë i lumtur sidomos me pjesën e parë, – tha trajneri Sauthgejt, – ne shfrytëzuam çdo moment dhe një ndeshje të vështirë ne bëmë që të dukej fare e lehtë”.

Sfidanti.al