Al-Khelaifi, konflikti me Hidalgo e akuza për korrupsion

Paris Saint-Germain mund të humbasë mbështetjen e fondit sovran të Katarit pas akuzave për korrupsion dhe trafik influence ndaj presidentit të tij, Nasser Al-Khelaifi. Në “Parc des Princes”, rubineti i petrodollarëve mund të mbyllet nga momenti në moment, duke ndryshuar rrënjësisht situatën për klubin e kryeqytetit francez. Sipas asaj që raporton RMC, akuza ndaj Al-Khelaifit, e cila nuk ka lidhje me sportin dhe është bërë publike dje, megjithëse daton që më 5 shkurt, nuk është pritur mirë në Doha dhe ka sjellë në tavolinë mundësinë e një shkëputjeje të tij nga PSG-ja. Drejtësia franceze po heton mbi Nasser Al-Khelaifi për të përcaktuar nëse ai ka luajtur një rol kyç në kontrollin e grupit mediatik Lagardère, i cili në të kaluarën ka qenë objekt përplasjeje mes miliarderëve Vincent Bolloré (pronari i Vivendi) dhe Bernard Arnault (pronari i LVMH).

Sipas agjencisë franceze të lajmeve AFP, akuzat ndaj Al-Khelaifi lidhen me “bashkëpunim në blerjen e votave, shkelje të lirisë së votimit dhe bashkëpunim në abuzimin me pushtetin”, me qëllimin për të dëmtuar SCA Lagardère (një nga filialet e fondit sovran të Katarit ishte aksionere në këtë kompani). Përveç rrjetit televiziv BeIN Sports, hetimi mund të prekë edhe PSG-në: burime pranë qeverisë së Katarit kanë deklaruar se janë “të lodhur nga këto abuzime, persekutime të rreme, shantazhe, kritika të përditshme dhe akuza ndaj të tjerëve për paaftësinë totale të tyre. Çdo problem në Francë është faj i Katarit. Kjo është një padrejtësi e pastër dhe të gjithë janë ngopur me këtë.” Al-Khelaifi nuk po kalon një periudhë të qetë në Paris. Gjatë vitit të fundit, ai është përfshirë në një betejë të vazhdueshme me kryetaren e bashkisë së qytetit. Në shkurt, presidenti i PSG-së konfirmoi se klubi do të largohet nga “Parc des Princes”, stadiumi ku luan ndeshjet në shtëpi, pasi Këshilli Bashkiak refuzoi ta shesë atë. “Tani ka marrë fund. Do të largohemi nga ‘Parc des Princes’”, deklaroi Al-Khelaifi pas Kongresit të UEFA-s të mbajtur në Paris, ku u rizgjodh president i Shoqatës Evropiane të Klubeve (ECA) dhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.

Më 6 janar të vitit të kaluar, Këshilli Bashkiak miratoi një mocion për ta shpallur “Parc des Princes” një vend me interes historik për qytetin, me propozimin e kryetares Anne Hidalgo. Ky vendim e bën të vështirë shitjen e stadiumit te PSG-ja. Përballë kësaj situate, Al-Khelaifi është shprehur: “Është shumë e lehtë të thuhet tani që stadiumi nuk është në shitje; ne e dimë çfarë duam, kemi humbur vite duke u përpjekur ta blejmë ‘Parc des Princes’”.

sfidanti.al