Ahmataj drejtori i ri Sportiv i Tiranës

Julian Ahmataj do të jetë drejtori i ri Sportiv i Tiranës. Ish-tekniku, që la postin vetëm pak ditë më parë për Erbim Fagun, ka mbi tavolinë propozimin e presidentit Refik Halili për të marrë vendin e lënë bosh nga Tefik Osmani. Elbasanasi i ka kthyer përgjigje pozitive numrit 1 të klubit, duke dëshmuar edhe njëherë lidhjen me fanellën bardheblu, por për zyrtarizimin duhet pritur edhe pak, pasi më parë duhet qartësuar disa gjëra, kryesisht mbi vendimmarrjet sepse Ahmataj kërkon të bindet për përfshirjen në projektin bardheblu. Palët kanë marrë kohë për të sheshuar pikat në të cilat duhet diskutuar, edhe sepse ngjeshja e ndeshjeve e bën delikate situatën. Duhet pritur me shumë mundësi edhe ndonjë javë, përpara se të ketë një njoftim zyrtar, me Ahmatajn, që përpos gatishmërisë për të qenë pjesë e klubit e për të dhënë kontributin e tij , kërkon edhe disa garanci për centralizimin e rolit të tij te Tirana. 44 vjeçari erdhi në krye të ekipit të parë, në një moment kur klubi kishte nevojë për të dhe ndoshta edhe për këtë fakt largimi nga pankina i ka lënë disa mbetje pakënaqësie, që propozimi i bërë për të kaluar në nivel drejtuesi nuk i fshin plotësisht, ndaj që raporti të jetë i patëmetë ka nevojë për kohë dhe siguri.

sfidanti.al