Bordi i ri i Besiktasit, po kalon një krizë të rëndë sportive dhe ka reaguar me dorë të rëndë pas humbjes në shtëpi në derbin ndaj Fenerbahçes me rezultat 3-1. Klubi ka pezulluar pesë lojtarë, respektivisht Eric Bailly, Vicent Aboubakar, Jean Onana, Valentin Rosier dhe Rachid Ghezzal. Megjithatë, pas përjashtimit të Aboubakar qëndron një histori e pabesueshme. Sipas “Fanatik”, ish-lojtari i Portos kishte udhëtuar deri në tre herë drejt Parisit pa leje nga klubi. Gjatë pushimit të kombëtareve, ai fluturoi drejt Kamerunit ku ishte i angazhuar me ekipin afrikan por nuk u kthye në Turqi duke shkuar në kryeqytetin francez me pretendimin se gruaja e tij ishte e sëmurë. E vërteta është se Aboubakar ka udhëtuar drejt Parisit për t’iu nënshtruar një transplanti. Problemi i vërtetë erdhi kur kamerunasi, i kthyer në Stamboll, tha se ishte i dëmtuar dhe filloi të stërvitet individualisht, por më vonë ai nuk mori pjesë as në ndeshje. Arsyeja kryesore që nuk stërvitej dhe as nuk luante, ishte një tjetër. Mjekët e këshilluan Aboubakar-in të mos godiste topin me kokë për tre javë në mënyrë që transplanti i flokëve të mund të vendosej siç duhet. Aboubakar, çuditërisht, edhe pas këtij episodi mund të marrë një ‘falje’ nga Besiktas.
sfidanti.al