Kombëtarja ka vijuar me përgatitjet në prag të ndeshjes ndaj Letonisë, e planifikuar që të luhet nesër në orën 20:45. Prej ditësh, kuqezinjtë po stërviten në Tiranë, teksa pasditen e djeshme është zhvilluar seanca e radhës stërvitore ku për Silvinjon, ka pasur më në fund lajme të mira, pasi në pjesën e parë të stërvitjes, me grupin u stërvit edhe Myrto Uzuni i cili ditën e djeshme ishte lënë pushim për shkak të një problemi në kofshë. Silvinjo do të shohë më me detaje gjendjen fizike të 3 futbollistëve, të cilët ishin të fashuar në stërvitjen e djeshme. Uzuni ishte ai i cili kishte një fasho më të madhe në pjesën e kofshës, teksa fashim në gju kishin edhe Adrion Pajaziti dhe mbrojtësi Arlind Ajeti. Megjithatë, të dy futbollistët e nisën përgatitjen të bashkuar me grupin. Pjesa tjetër e grupit, ashtu si edhe në ndeshjet e shkuara nuk ka pasur probleme dhe ka qenë e plotë.
Skuadra nisi stërvitjen në “Shtëpinë e Futbollit” në orën 17:00, teksa të parët që dolën në fushë ishin trajneri Ilir Bozhiqi, i shoqëruar nga portierët, Strakosha, Simoni dhe Dajsinani. Më pas, stafi teknik i Kombëtares zbriti në fushë duke pritur skuadrën për rreth 10-15 minuta dhe me të mbërritur skuadra, Silvinjo i mblodhi për një fjalim të shpejtë, që nuk zgjati më shumë se 5 minuta. Atmosfera në grup duket pozitive dhe fitorja e fundit, pavarësisht lojës së dobët që u zhvillua, duket se nuk ka sjellë alarm te kuqezinjtë, të cilët betejën e vërtetë, e kanë në mbrëmjen e 9 shtatorit kundër Letonisë.
Skuadra kuqezi do të zhvillojë pasditen e sotme seancën e fundit stërvitore në kryeqytet, ku Silvinjo do të japë edhe detyrat e fundit para ndeshjes ndaj Letonisë. Ditën e sotme, Silvinjo do të ketë edhe një pasqyrë më të qartë në lidhje me gjendjen fizike të lojtarëve si edhe për të vendosur se kush do të jetë 11-shja që do të nisë takimin nga minuta e parë. Para stërvitjes, trajneri Silvinjo dhe kapiteni Berat Gjimshiti do të jenë edhe në konferencën e shtypit para ndeshjes.