Në Ligën e Kampionëve sonte në 21:00 luan edhe kampionia në fuqi e Europës, Çelsi. Blutë e Londrës janë përgatitur me kujdes për sfidën ndaj Lilës në Francë, ndonëse shqetësimet janë të shumta. Fitorja 2-0 në ndeshjen e parë ia lehtëson disi detyrën, ndërsa Xhejms e Hadson-Odoi nuk pritet të luajnë, Çiluell po ashtu mungon, por kthehet Azpilikueta. Problemet e Çelsit janë të mëdha me financat pas ndëshkimit të pronarit Abramoviç nga autoritetet britanike, aq sa rrezikohet falimentimi dhe zhvillimi i ndeshjeve. “Atmosfera tek ne është e mirë, – thotë trajneri Tuhel, – skuadra e ka treguar se di ta përballojë presionin. Ne punojmë në një klub të madh. Me punët e klubit merren të tjerët, ne jemi për të luajtur. Duhet të jemi të bashkuar. Jemi të bindur se do t’i luajmë ndeshjet, dhe duam që të fitojmë ato”. Çelsi është favorit për kualifikimin, pas suksesit në ndeshjen e parë, por nuk dihet nëse kampionët mund të kenë forcë për të kaluar përtej çerekfinaleve.
Sfidanti.al