Zgjerohet skandali i basteve në Itali

Skandali i basteve ka prekur edhe Kombëtaren italiane, teksa dy futbollistët Sandro Tonali dhe Nicolo Zaniolo janë larguar nga grumbullimi, pikërisht për t’u marrë në pyetje nga hetuesit. Dy futbollistëve u është gjetur emri në telefonin e mesfushorit të Juventusit Faggioli, i cili gjithashtu po hetohet për përfshirje në skandalin e basteve, pasi ka luajtur vetë në platforma ilegale. Mediat italiane raportojnë se Zaniolo e Tonali janë larguar mes lotësh nga grumbullimi dhe u kanë treguar familjarëve se kanë luajtur vetëm poker dhe blackjack në platformat ilegale të basteve, duke mos u përfshirë asnjëherë në parashikimine ndeshjeve.

Çështja është nën hetim, megjithatë media italiane raporton se edhe futbollistë të tjerë të Serisë A janë të përfshirë në këtë skandal, teksa bëhet fjalë për një tjetër lojtar të Juves, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, por edhe një lojtar të Romës. Në ditët e ardhshme pritet të ketë të tjera befasi, që mund të tronditin jo pak futbollin në Itali, teksa futbollistët e përfshirë në luajtjen e basteve sportive rrezikojnë pezullime të rënda, që nisin nga disa muaj, në disa vite.

sfidanti.al