“Mister X” i përfolur prej javësh për merkaton e Interit ka një emër dhe mbiemër, ai është Ademola Lookman! Sipas asaj që ka zbuluar sot Corriere dello Sport, e që më pas është konfirmuar nga burime pranë klubit, sulmuesi nigerian i Atalantës është objektivi kryesor dhe i fshehtë i drejtuesve të Interit.
Operacioni është kompleks dhe në faza fillestare, por mbështetet në dy pika të forta: së pari, dëshira absolute e vetë Lookman për t’u transferuar në Milano dhe për të bërë një hap të rëndësishëm në karrierë.Së dyti, fakti që kontrata e tij me Atalantën skadon për dy vjet, çka e vendos klubin bergamask përpara një zgjedhjeje të vështirë, ta rinovojë ose ta shesë. Vlera që i është vendosur nga Atalanta është rreth 45-50 milionë euro.
Lookman, i cili sezonin e kaluar shënoi 15 gola në Serie A dhe 5 në Champions League, dëshiron të largohet nga Bergamo pavarësisht largimit të trajnerit Gasperini, me të cilin kishte pasur përplasje të forta në pranverë. Në moshën 27-vjeçare dhe pas tre sezonesh shumë të mira në Itali, ai ndihet gati për një nivel më të lartë.Nga ana teknike, ai shihet si profili ideal për të kompletuar repartin ofensiv të Interit dhe për t’u përshtatur në mënyrë perfekte me Lautaro Martinezin dhe Marcus Thuram. Shtimi i tij, së bashku me të rinjtë Bonny dhe Pio Esposito, do t’i jepte trajnerit Chivu një sulm të frikshëm dhe plot zgjidhje.