Një futbollist profesionist ka ndërruar jetë në Marituba të Brazilit pas një shkëmbimi zjarri në rajonin metropolitan të Belém, Pará, natën e së hënës së 7 tetorit. Mediat vendase raportojnë se përveç sulmuesit 22-vjeçar të Clube do Remo, në vendngjarje mbetën të vrarë edhe dy persona të tjerë. Sipas dëshmitarëve, Ricardo Emanuel Alcantara Paiva dhe Flávio Jesus de Souza, një mik i atletit, kishin luajtur një ndeshje futbolli në një arenë lokale dhe ishin ulur duke biseduar, kur një makinë e zezë qëlloi drejt tyre. Përveç miqve, automjeti shkoi pranë një dyqani ushqimor, ku edhe futbollisti me emrin Daivison Lucas da Silva Braga u qëllua dhe ndërroi jetë. Deri më tani nuk janë identifikuar personat që kryen vrasjen. Policia braziliane po heton rastin dhe janë kërkuar ekspertiza. Ricardinho po rikuperohej nga operacioni në ligamentin e kryqëzuar anterior (ACL) të gjurit të tij dhe ishte në fazën përfundimtare të trajtimit përpara se të rikthehej në fushën e blertë. Në vitin 2022, sulmuesi spikati me moshat U-20, duke shënuar shtatë gola në 18 ndeshje. Në fillim të sezonit 2023, ai iu bashkua skuadrës profesioniste, ku debutoi në Campeonato Paraense. Në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, pasi humbi vendin e titullarit në ekip, Ricardinho u huazua te Santa Rosa-PA, ku luajti në Serinë B1 të Paraense.
sfidanti.al