Valdano paralajmëron Vinicius-in: Këto sjellje nuk janë të pranueshme

Ish-lojtari dhe ish-trajneri i Real Madridit, Jorge Valdano, ka komentuar sjelljen e Vinicius Junior pas zëvendësimit nga Xabi Alonso në fitoren 2-0 kundër Espanyolit, duke e paralajmëruar brazilianin se duhet të jetë më i kujdesshëm në raportin e tij me klubin dhe trajnerin. “Vinicius nuk është më ai që ishte dhe trajneri nuk është më ai që ishte. Real Madridi e ka mbrojtur gjithmonë, edhe kur ai luftonte kundër botës. Por tani situata ka ndryshuar: Vinicius nuk zemërohet me botën, por me trajnerin e tij”, – u shpreh Valdano në Movistar Plus+.

Argjentinasi theksoi se sjellje të tilla në publik nuk janë të pranueshme: “Këto akte nuk janë të shëndetshme në asnjë rast. Për më tepër, ato përmbajnë një lloj mosrespektimi edhe ndaj lojtarit që po hyn në fushë”. Valdano kujtoi se klubi dhe tifozët kanë qenë gjithmonë pranë Vinicius-it, duke e vendosur shpesh mbi gjithçka, por tani lojtari duhet të përqendrohet në nivelin e tij: “Vinicius duhet të rikthehet te loja që e çoi deri në vendin e dytë për Topin e Artë. Është një futbollist i jashtëzakonshëm, por duhet të ruajë ekuilibrin dhe të tregojë kujdes me gjestet, sepse çdo moment ndiqet nga kamerat”. Në përfundim, Valdano nënvizoi se Real Madridi gjithmonë ka vënë klubin mbi lojtarin dhe se për Viniciusin është koha të rifitojë qetësinë dhe të konfirmojë nivelin që e ka shfaqur.

sfidanti.al