Tuchel ‘fërkon duart’; Mbappe drejt riaftësimit të shpejtë

Dukej një hipotezë e parealizueshme, por tani në Francë po fillojnë të besojnë vërtet; Kylian Mbappe mund të jetë i gatshëm për sfidën e Final Eight të Ligës së Kampioneve me Atalantën në 12 gusht. Sipas ‘L’Equipe’, sulmuesi i Paris Saint Germain po kapërcen etapat e kohës së riaftësimit pas dëmtimit të rëndë të pësuar në kavilje në finalen e Kupës së Francës ndaj St.Etienne.

E përditshmja franceze citon një familjar të Mbappe që thotë se ka 90% probabilitet që lojtari të grumbullohet për këtë sfidë me bergamaskët. Mbappe, sic vihet në dukje edhe nga ‘L’Equipe’ është parë në qendrën stërvitore të PSG të ecë pa paterica që të mërkurën, vetëm 4 ditë pas ndërhyrjes së ashpër të Perrin. Mbrëmjen e së premtes ai ishte në shkallët e Stade de France për të ndjekur finalen e Kupës së Ligës ndaj Lyonit që PSG e fitoi me penallti, duke zbritur në fushën e lojës për të festuar pa shfaqur probleme këtë triumf

‘L’Equipe’ shton se rezultatet e ekzaminimeve klinike dhe radiologjike janë gjithnjë e më shumë shpresëdhënëse dhe kësaj i shtohet edhe vullneti I vetë Mbappe për të bërë gjithcka për të qenë në listën e të grumbulluarve për Ligën e Kampioneve.

Sfidanti.al