Ndeshja mes ekipeve Kueno dhe Pro Piaçenca e Serisë C u bë lajm hit jo vetëm në Apenine, por edhe në të gjithë Evropën. Kjo ndeshje hyri në histori pasi ekipi vendas fitoi me rezultatin 20-0! Pro Piaçenca, në fakt, po kalon kohën më të keqe në historinë e saj, pasi nuk është në gjendje që t’i paguajë lojtarët, kështu që këta të fundit kanë ikur pothuajse të gjithë dhe tri ndeshjet e fundit ky klubi italian i humbi në tavolinë 0-3, sepse nuk doli në fushë. Nëse ky klub nuk do ta nxirrte ekipin e vet në fushë për herë të katërt, atëherë, sipas rregullave në fuqi, ai do të përjashtohej automatikisht nga Seria C dhe do të zbriste një kategori më poshtë.
Në këto kushte që ta ruante statustin e vet në në Serinë C, Pro Piaçenca ndeshjen e zhvilloi vetëm me shtatë futbollistë të rinj (16 – 19 vjeç) që humbën 20-0. Në fakt, Pro Piaçenca erdhi me tetë futbollistë, por njëri prej tyre, Iusufi, kishte harruar të merrte kartën e identitetit, kështu që nuk u lejua të luante që në fillim. Kur ai hyri në lojë në min. e 64-t, pasi atij ia sollën kartën në fjalë, rezultati ishte 17-0 për Kuneon. Interesant është fakti se Kuneo që gjatë të gjithë sezonit kishte arritur të shënonte vetëm 18 gola, kurse vetëm në pjesën e parë kundër Pro Piaçencës shënoi 16 gola.
Duhet të theksohet se në stolin e rezervave të Pro Piaçencës nuk kishte as lojtarë rezervë dhe as trajner. Si kapiten i ekipit u deklarua një futbollist 19-vjeçar që mori përsipër edhe rolin e trajnerit!