Sandro Tonali e emri i tij në hetimin për bastet e paligjshme nuk është aspak i ri: ish-lojtari i Milan, sot te Newcastle, ka pasur edhe një pezullim shumë të rëndë përveç se i është nënshtruar një programi rehabilitimi kundër varësisë nga lojërat e fatit. Megjithatë, pas disa muajsh, emri i tij – së bashku me atë të Nicolò Fagioli, i përfshirë gjithashtu drejtpërdrejt në skandal – është rikthyer në qendër të vëmendjes pas lajmit se Prokuroria e Milanos, në kuadër të të njëjtit hetim, ka sekuestruar një milion e gjysmë euro, ka kërkuar pesë arreste shtëpiake dhe ka vënë nën hetim rreth një duzinë futbollistësh që luajnë ose kanë luajtur në Serie A, për bastet ilegale. Ndër procesverbalet del edhe rrëfimi nga vetë Tonali, i cili shpjegon se si u fut në këtë botë: “Ishte Pietro Marinoni, një arbitër”.
Ish-mesfushori i Milan, Sandro Tonali, ishte marrë në pyetje në tetor 2023 nga Prokuroria e Torinos dhe procesverbali i asaj që ka rrëfyer lojtari është përfshirë në aktet e Prokurorisë së Milanos, së cilës i është transferuar dosja për shkak të përfshirjes së mëtejshme të futbollistëve të tjerë. Një rrëfim ku Tonali, në mënyrë të detajuar dhe me emra konkretë, shpjegon metodën mashtruese në të cilën u fut nga një ish-arbitër: Pietro Marinoni. “Ai që më futi në bastet ishte Pietro Marinoni, i cili është nga i njëjti qytet me mua dhe ka qenë në shkollë me motrën time. Në atë kohë ai ishte tashmë arbitër.”
Tonali ka shpjeguar përpara prokurorëve sesi Marinoni, gjithashtu nën hetim, administronte aktivitetin e basteve të paligjshme: “Në fillim, bastet nuk funksiononin si në periudhën e fundit, por përdorja një aplikacion të ‘Snai’. I dërgoja me WhatsApp bastet Pietros Marinoni dhe ai shkonte në agjenci”. Një sistem për llogari të të tretëve që teknikisht e distanconte Tonalin nga një përfshirje personale e drejtpërdrejtë. “Kështu vazhdoi deri në vitin 2020, kur u krijua ‘Worldgame365’ – rrëfen më tej Tonali.
“Kjo faqe nuk ishte e qasshme për të gjithë, por duhej të merrje një link për të hyrë. Linku për herë të parë më është dërguar nga Marinoni. Nuk më është kërkuar kurrë shlyerja e borxhit me kërcënime, por më kanë propozuar pagesën me këste. Kam arritur të kem një borxh prej 500 mijë euro ndaj tyre. Qëllimi i tyre ishte që unë të vazhdoja të vija baste, kurrë nuk më kanë kërkuar me ngulm të paguaja.”
Në procesverbal, përmendja e aplikacionit të mesazheve WhatsApp është veçanërisht e rëndësishme sepse ishte mjeti përmes të cilit realizoheshin bastet dhe menaxhohej qarkullimi i madh i parave: “Rezulton se Tonali, Fagioli dhe Marinoni kishin gjithashtu një grup WhatsApp ku organizoheshin për pagesën e borxheve të lojës”, shkruajnë prokurorët, të cilët më pas përmendin edhe një sërë grupesh të tjera të krijuara posaçërisht për temat e basteve. Aktivitet që ndodhte edhe përmes pagesave fiktive: “Nuk kam ndaluar kurrë së vëni baste deri një javë përpara sekuestrimit. Kam arritur të kem një borxh ndaj tyre që e kam paguar pjesërisht me metodën e përshkruar dhe pjesërisht me fitimet”.
Dhe “metoda e përshkruar” ishin paratë e dërguara një argjendarie në zonën e Milanos, e përdorur si një bankë për të menaxhuar trafikun: shitje të rreme të orëve dhe bizhuterive luksoze, të cilat kurrë nuk janë dorëzuar, por janë përdorur si justifikim për transfertat bankare, përmes të cilave shlyheshin pjesërisht borxhet e tyre.
sfidanti.al