Dëmtimi më i fundit i pësuar nga Ter Stegen duket se ka ulur edhe më shumë shanset që portieri të jetë numri një i Gjermanisë në Botëror. Në orët e fundit ka qenë vetë lojtari, ai që ka thyer heshtjen duke hedhur më shumë dritë rreth së ardhmes së tij nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale. “Si atlet që jam, kompetitiviteti është maksimumi për mua. Për disa muaj më duhet që të ndërpres stërvitjen pasi më duhet që t’i nënshtrohem një operacioni”, tha 33-vjeçari. Në tri vitet e fundit Ter Stegen ka pësuar disa dëmtime, të cilët e kanë detyruar që të qëndrojë për një kohë të gjatë jashtë fushave. Ndërhyrja më e fundit kirurgjikale do ta detyrojë lojtarin që të mos grumbullohet edhe nga Gjermania për miqësoret e muajit mars. Në takimet përballë Zvicrës dhe Ganës, katër herë kampionët e botës do t’i besojnë portës portierit të TSG Hoffenheim. Nëse Ter Stegen do të kërkojë më shumë kohë për rikuperim atëherë mendohet se do të jetë pikërisht Oliver Baumann, titullari i Gjermanisë në Botërorin e 2026-ës.
sfidanti.al

