Santiago Solari e nisi odisenë e tij si trajner shumë mirë në stolin e drejtimit të Realit të Madridit, madje fitoi edhe kampionatin botëror të klubeve, por një barazim dhe tani humbja (0-2) në “Santiago Bernabe” nga Real Sosiedadi në La Ligë janë të mjaftueshme që ai ta ndjejë “nxehtësinë” që lëshon stoli, ku ai është ulur dhe tani në drejtim të tij kanë nisur të lëshohen shigjetat e kritikës.
Mediumet spanjolle shkruajnë se Solari nuk do të mund ta ruajë pozicionin e trajnerit të Realit në sezonin e ardhshëm, vetëm në qoftë se arrin të paktën një trofe të madh. Duke qenë se në La Liga Reali ndodhet në vendin e 5-të dhe ka 10 pikë më pak se Barcelona e vendit të parë, më shumë shpresa kihen te fitimi përsëri i Ligës së Kampioneve (LK). Në fazën e parë nokaut të LK-së Reali kampion në fuqi i LK-së do të masë forcat me Ajaksin e Amsterdamit, por, sidoqoftë, rruga që ta ruajë trofeun më të rëndësishëm evropian në vitrinën e vet është e gjatë dhe e vështirë.
Sfidanti.al