Sikur “djalli” Mançester ka bërë magji, Kavani dhe Nejmar “zhduken”

PSZH-ja në ndeshjen e fundit, megjithëse, në përgjithësi, luajti me ekipin e vet të dytë, fitoi 1-0 ndaj Bordos, por fitorja ra në plan të dytë, për shkak të dëmtimit të Edison Kavanit. Ky futbollist uruguaian realizoi penalltinë, duke i dhënë tri pikë “të shenjtëve”, por nuk e çoi dot ndeshjen deri në fund dhe në pjesën e dytë atë e zëvendësoi Kilian Mbape.
Dëmtimi i Kavanit është një lajm i keq për ekipin kampion francez, të cilin në 1/8-tën e finaleve të Ligës së Kampioneve të martën e ardhshme e pret dueli me Mançester Junajtidin, sepse pjesëmarrja e tij në këtë ndeshje është në dyshim, ndërkohë që është e sigurt se, për shkak të një dëmtimi serioz, nuk do të luajë as Nejmari.
“Ky nuk është një lajm i mirë, megjithëse muskuli i dëmtuar nuk është kryesor, por, sidoqoftë, ne duhet të presim konkluzionin e mjekëve. Nuk mund të them asgjë, nëse Edi do të luajë kundër Mançester Junajtidit, ndërkohë që dihet se Nejmari do të mungojë. Kemi një fat të keq”, deklaroi trajneri i PSZH-së, Tomas Tuhel.
Sfidanti.al