Zbulohen detaje të kontratës së De Lihtit me Juventusin

Duket se Matijs De Lihti është marrë vesh për të gjithë detajet me Juventusin. Ky futbollist 19-vjeçar holandez që konsiderohet si një nga më të talentuarit e brezit të ri në botën e sotme të futbollit dhe agjenti i tij, Mino Rajola, arritën të sigurojnë 12 milionë euro për sezon dhe një kontratë pesëvjeçare, ndërkohë qëAjaksit Juventusi do t’i paguajë 70 milionë euro. Në kontratë theksohet se klauzola e blerjes së De Lihtit do të jetë 150 milionë euro.

Media italiane bën të ditur se i gjithë procesi i shitblerjes së De Lihtit u zhvillua dhe përfundoi brenda dy-tri ditëve të fundit. Nëse  gjithçka do të shkojë mirë, De Lihti do të jetë përforcimi i parë gjatë këtij sezoni transferimesh i trajnerit të ri të Juventusit, Mauricio Sari.

De Lihti ishte objektiv edhe i Barcelonës, por vetë futbollisti holandez zgjodhi Juventusin, ku ai konsideron se mund të zhvillohet më shumë dhe më shpejt. Në fakt, vetë De Lihti nuk ka thënë publikisht se do të luajë në të ardhmen me Juventusin, por deklarata e tij e fundit këtë gjë nënkupton:

“Gjithçka po zhvillohet shumë shpejt. Tani unë nuk kam shumë kohëqë të mendohem. Me shokët e mi të fëmijërisë ne folëm mbrëmë për shumë gjëra. Në fund, unë thashë se gjithnjë kam dashur që të bëhem si Kristiano Ronaldo, qëkur ne ishim fëmijë. Unë e kam adhuruar atë, qëkur ai luante me Junajtidin. Bluza e parë që unë kam mbajtur veshur, ka qenë ajo e Ronaldos”.

Srfidanti.al