Në tregun e sotëm 18 milionë euro nuk janë një shifër shumë e madhe, edhe pse jemi në kohë koronavirusi. Pra, transferimi që duket tepër i mundshëm i Vedat Muriqit tek Lacio mund të vlerësohet si një goditje e madhe në shenjë për Igli Taren. Këtë e pohon edhe trajneri i Kosovës, Bernar Shaland (Challandes), që e njeh mirë Muriqin sepse e drejton në ekipin përfaqësues. “Muriqi është si Romelu Lukaku, – thotë zvicerani 69-vjeçar për “La Gazeta delo Sportin”, – është shumë i fortë fizikisht, me karakter të fortë, nuk ka frikë, lufton sa për 10 vetë dhe shënon gola. Unë mendoj se do të ketë sukses në krah të Korreas. Shpresoj të firmosë për Lacion”. Muriqi shënoi mbi 20 gola këtë sezon në Turqi për Fenerbahçen, ndërsa një edicion më parë arriti në 25 gola për Çajkur Rizesporin. Në moshën 25-vjeçare është një bast i rëndësishëm për italianët, dhe nëse do të ketë sukses në Serinë A, do të jetë një tjetër transferim i madh për Taren.
Sfidanti.al