Tek Lacio flasin për titullin, Inzagi: Ëndërroj festën e vitit 2000!

Hap pas hapi po ngjitet shumë lart. E thotë tifozja speciale bardhekaltër, Ana Falki, e kupton edhe trajneri Simone Inzagi, tani që Lacio doli në vendin e parë të Serisë A. Shtyrja e derbit Juventus-Inter e bën të sigurt që lacialët do të jenë në krye, të paktën deri javën që vjen, dhe Inzagi flet edhe më hapur për dëshirën me emrin “titull”. “Nuk mendova për shtyrjen e ndeshjes Juve-Inter, – u shpreh ai pas ndeshjes, – kemi një skuadër të mrekullueshme, plot me lojtarë që e duan njëri-tjetrin dhe që pranojnë vendimet e trajnerit, ashtu siç ndodhte në kohën e Eriksonit. Ëndërroj një festë si ajo e vitit 2000”.

Pikërisht në vitin 2000, Lacio fitoi titullin e dytë në histori, ndërsa tani mund të fitohet i treti. Vendi i pari, qoftë edhe i përkohshëm, u arrit me fitoren 2-0 ndaj Bolonjës në “Olimpiko”. Luis Alberto e Korrea shënuan golat. “Në pjesën e parë luajtëm shumë mirë dhe mund të kishim shënuar më shumë gola, – tha Inzagi, – pas pushimit e patëm më të vështirë, dhe kjo për meritë të Bolonjës. E dimë se është skuadër e fortë”. Lacio ka 62 pikë ndaj 60 të Juventusit dhe 54 të Interit, ndërsa ka shënuar 60 gola ndaj 48 të kampionëve e 49 të milanezëve. Vetëm Atalanta ka më shumë, 63 rrjeta.

Sfidanti.al