Ekipi i vogël e ka të vështirë të bëhet i madh, ndonëse një humbje në Firence edhe pranohet. Atalanta e shkëlqyer e Championsit dhe e Serisë A nuk e kaloi dot pengesën me emrin “Fiorentina” duke u eleminuar nga Kupa e Italisë. Një lehtësim ndoshta për ekipin ku luan mbrojtësi i kombëtares, Berat Gjimshiti, sepse kjo garë do të ishte “kërcu përmbi samar” për bergamaskët. Mjafton kampionati dhe turi i dytë i Ligës së Kampionëve për të qenë me ngarkesë të plotë. Fiorentina fitoi 2-1 në “Artemio Franki”.
Nëse Atalantës i qëlloi “të qante”, Milani pati radhën për të qeshur. Kuqezinjtë, një nga klubet më të mëdhenj të Italisë e të Europës, sot kanë objektiva të tjerë dhe Kupa e Italisë nuk është për t’u hedhur poshtë. Skuadra e Piolit mundi 3-0 Spalin e Etrit Berishës, duke pasur epërsi, dhe tani do të luajë në çerekfinale me Torinon. “Luajtëm me ritmin e duhur, dhe me cilësinë e duhur, – tha Pioli, – jam i lumtur për afrimin e Begoviçit dhe Kjerit, që do të na forcojnë mjaft”. Piontek, Kastijeho dhe Teo Hernandez ishin autorët e golave. Milani do të përpiqet të kapë Europën, edhe pse Championsi duket thuajse i pamundur, dhe të fitojë një trofe, Kupën e Italisë.
Sfidanti.al