Besimi është gjë e madhe në jetë, padyshim edhe në futboll. Ndodh që, edhe ndonjë sulmues i sprovuar të dyshojë në aftësitë e tij për të shënuar gola, dhe kështu i ndodhi Gonzalo Higuainit që la në baltë veten dhe Milanin për shumë kohë. Më në fund, ai shënoi duke siguruar fitoren ndaj Spalit në “San Siro”, pas plot 866 minutash, pra pas gati 10 ndeshjesh! Vërtet e jashtëzakonshme.
Me të kaluar momenti “magjik”, Higuain u intervistua pas ndeshjes, dhe nuk harroi të falenderonte atë që e quajti njeriun më të rëndësishëm të kthesës së tij. “Trajneri më ka mbështetur vazhdimisht, ky gol është për Gatuzon, – u shpreh argjentinasi, – më në fund shënova, dhe më në fund fituam, pasi shpërdoruam aq shumë pikë më parë. Të paktën, mund të shkojmë të pushojmë më të qetë me familjet tona”.
Higuain nuk shënonte që nga 28 tetori, plot dy muaj e një ditë. Me golin e tij, Milani arriti në 31 pikë, vetëm 1 pikë prapa Lacios së vendit të katërt, vend që të kualifikon për në Champions. Do të ketë dy javë pushim, pastaj një ndeshje Kupe me Sampdorian, dhe Superkupa ndaj Juventusit në Xhedah të Arabisë Saudite.
Sfidanti.al