Pioli i lumtur me Milanin e tij: Më në fund po shënojmë gola!

Trajneri i kuqezinjve mund të nisë të ndihet më i qetë tani që ekipi ka kaluar ngërçin me emrin “San Siro”. Edhe pse janë luajtur vetëm dy javë të Serisë A, Stefano Pioli i ka marrë disa përgjigje, sidomos në fitoren 4-1 ndaj Kaljarit.  “Ne luajtëm me ide të qarta, dhe me ritëm të lartë, – tha Pioli, – më në fund i shfrytëzuam rastet, madje mund të kishim shënuar edhe më shumë. Jemi përgatitur mirë dhe është e rëndësishme që e nisëm mirë kampionatin, por kemi rrugë të gjatë përpara. Disa lojtarë mungojnë, disa duhet të përmirësojnë formën. Ndeshjet e ardhshme janë të vështira”.

“Milan i madh, – titullon “La Gazeta delo Sport”, – shpërthim i Zhirusë, edhe Pioli në komandë! Roma, spektakël i Pelegrinit dhe Abrahamit”. “Il Korriere delo Sport” vlerëson që Seria A ka 5 skuadra në krye, një pesëshe mbretërore, shkruan ajo. Milani, Roma e Napoli shkëlqyen të hënën. Gjithsesi, Pioli ka të drejtë se lombardëve u duhet ende punë. Menjëherë pas ndërprerjes së kampionatit, do të jenë ndeshjet e mëdha ndaj Lacios, Liverpulit e Juventusit në Championsi dhe në Serinë A.

Sfidanti.al