Përse Milani e do ende Ibrën? Ka gati 20 sezone që shënon me dy shifra!

Vetë suedezi nuk e ka ndarë mendjen se çfarë do të bëjë, por tek skuadra italiane vazhdojnë ta presin me krahë hapur. Milani ka nevojë për një personalitet të fortë si Zllatan Ibrahimoviç, që është edhe një garanci për të realizuar thelbin e futbollit, pra një numër të madh golash. Edhe pse në moshë “të shtyrë”, pasi i ka kaluar 38 vjetësh, Ibra është sërish “metal i çmuar”. Siç përllogarit “La Gazeta delo Sporti”, sulmuesi me origjinë boshnjake ka shënuar në 15 sezonet e fundit gjithmonë më shumë se 10 gola, dhe saktësisht nga një minimum prej 10 rrjetash në 2005-2006 tek Juventusi, në 50 gola në 2015-2016 kur ishte tek Paris SG dhe luajti 51 ndeshje. Në 18 sezonet e fundit, Ibra ia ka dalë 16 herë të shënojë me dy shifra, ndërsa në karrierë ka gati 500 gola në rreth 800 ndeshje. Jo më kot, trajneri i Italisë, Roberto Mançini, u shpreh se “Zllatani është në të njëjtin nivel si Mesi e Ronaldo”, ndonëse duket se “Manço” e tepron pak. Jo më kot, e ka pasur lojtar Ibrahimoviçin kur ishin bashkë tek Interi.

Sfidanti.al