Pablo Daniel Osvaldo më në fund është mirë. Një lajm i mirë, për të dhe për të gjithë botën e futbollit. Ka qenë vetë ish-sulmuesi, i cili në një intervistë për TyC Sport ka folur për betejën e tij (të fituar) kundër depresionit. Por jo vetëm kaq. Gjatë bisedës, italo-argjentinasi zbuloi edhe disa histori: një për përvojën e tij te Juventus dhe… cigaret, një për skuadrën për të cilën do të donte të luante, Napolin. Siç raporton Il Corriere dello Sport, për ish-sulmuesin Osvaldo më e keqja ka kaluar: “Tani jam mirë. Falë ndihmës së miqve dhe familjes sime do të kthehem të jem Dani që kam qenë gjithmonë. I shëndetshëm dhe i gëzuar, larg nga versioni im i vjetër. Kur postova videon, shumë njerëz më thanë se po përjetonin të njëjtën situatë si unë, se po luftonin me depresionin edhe pse në pamje mund të ishin dukur të lumtur dhe të kënaqur”.
Në intervistë, ish-qendërsulmuesi foli edhe për aventurën e tij te Juventus dhe një prapaskenë shumë të veçantë: “Kur isha te Juventus kishim dhomën tonë të duhanit. Edhe kur luanim në transfertë me ekipin, ndërsa shkonim, pinim duhan jashtë aeroportit. Kushdo që nuk i di këto gjëra është sepse nuk ka luajtur kurrë në Itali”. Më pas, një tjetër zbulim: “Do të kisha dashur të luaja për Napolin. Kishte një periudhë që më donin shumë, por në fund morën Higuain”. Një zhgënjim për Osvaldo, por për tifozët e të kaltërve, nisur nga performanca e Pipita, sigurisht që nuk shkoi keq.
sfidanti.al