Nuk është epoka Maradonës, por le të lumturohemi me këtë Napoli!

Një trajner shumë i mirë po korr suksese të merituara me një skuadër shumë të mirë. Luçiano Spaleti, pasi shkëlqeu me Romën në Serinë A dhe Zenitin e Shën Peterburgut në Rusi, ka shansin të arrijë diçka të rrallë sërish në Itali, këtë herë me Napolin. Fitorja 4-0 në Gjenovë ndaj Sampdorias ndihmoi napolitanët që të mbanin rekordin e tyre 100 për qind të pikëve, me 15 të tillë në 5 ndeshje dhe me golaverazhin 14-2. Skuadra e Spaletit ka lënë pas Interin e Milanin, si dhe Romën e Atalantën, dhe tifozët ëndërrojnë që të përsërisin lavdinë e kohës së Diego Armando Maradonës, të fitojnë titullin e parë që nga viti 1990. Nuk dihet nëse kjo skuadër e Spaletit do t’ia arrijë, ndërsa problemi kryesor është mungesa e thellësisë. Kundër Sampit, u bë vetëm një ndryshim në krahasim me fundjavën dhe të tillë si Kulibali, Rrahmani, Di Lorenco, Ruiz, Insinje, Zielinski, Lozano apo Osimhen mund të lodhen një ditë. Gjithsesi, është një kënaqësi që Napoli kryeson Serinë A. Në “Marasi” autorët e golave ishin Osimhen (10’), Fabian Ruiz (39’), Osimhen (50’) dhe Zielinski (59’).

Sfidanti.al