Nga Kumbulla tek Rui Patrisio, Murinjo bën planet për Romën e tij!

Nuk dihet nëse do të arrijë ta bëjë një ekip të madh, por padyshim që ai do të përpiqet deri në fund. Zhoze Murinjo e ka punën këtë sezon me Romën, dhe trajneri portugez po bën planet për të pasur një ekip me lojtarët siç i do ai. Në skuadër ka disa futbollistë të rëndësishëm si Xheko, Pedro apo edhe Mkitarian, madje edhe ky i fundit është bërë i vlefshëm për Murinjon, ndonëse e largoi nga Mançester Junajtidi. Po ashtu, ka lojtarë më të rinj si Marash Kumbulla apo talenti italian, Nikolo Zaniolo, si dhe lojtari nga Gambia, Ebrima Darboe. Përveç tyre, Zhoze dëshiron portierin e Portugalisë dhe të Uolvesit, Rui Patrision, ndërsa do t’i duhet një lojtar i fortë, si Materaci, Felaini apo Matiç. Tek Roma është Xhanluka Mançini, por mund të vijë edhe ndonjë tjetër. Vlera e skuadrës romane arrin në rreth 380 milionë euro, por Murinjo do të donte një ekip më të shtrenjtë për të pretenduar kualifikimin në Champions dhe trofe.

Sfidanti.al