Lukaku nuk ndalet dhe ndihet i lumtur: Interi, zgjedhja më e mirë për mua!

Nuk ka qenë kurrë më mirë se kaq, dhe beson se ka bërë lëvizjen e duhur. Nëse Interi dhe Antonio Konte ende kanë shpresë të arrijnë suksese të mëdha këtë sezon, një nga arsyet kryesore është Romelu Lukaku. Pas dy golave ndaj Kaljarit në Kupën e Italisë, sulmuesi belg mbërriti në kuotën e 18 rrjetave në sezon, të gjitha këto në vetëm 25 ndeshje. Një nivel i tillë nuk ishte arritur ndonjëherë, ndoshta iu afrua vetëm tek Evertoni, dhe e gjitha kjo tregon qartë ndikimin e Kontes tek gjigandi i sulmit.

“Interi ishte zgjedhja më e mirë për mua, ndaj edhe e bëra, – deklaroi Lukaku pas fitores 4-1 ndaj Kaljarit, – jam i lumtur që jam përshtatur shpejt, por kjo është meritë e shokëve të ekipit, meritë e trajnerit dhe stafit të tij, si edhe e tifozëve”. Lukaku nuk dëshiron të komentojë konkurrencën me Juventusin apo edhe me Lacion për titullin kampion, pasi i duket shpërqëndrim. “Nuk flas për titullin, por vetëm për ndeshjet e veçanta, pra vëmendja ime tani është tek Leçe në Serinë A”.

Sfidanti.al