“Legjendat” në krah të Spaletit, lexoni Pirlon, Bergomin, Ferrin!

Janë edhe më shumë se kaq, pasi për konfliktin e fundit me Ikardin janë shprehur edhe trajnerë si Alberto Xakeroni dhe Aurelio Andreacoli. Le të fillojmë me Andrea Pirlon. “Spaleti është treguar koherent në ato që ka thënë dhe që mendon, – u shpreh ish-ylli i Interit, Milanit e Juventusit, – nuk e kuptojmë nëse Ikardi është sqaruar apo jo me shokët. Si ka mundësi që një lojtar nuk ka personalitetin për të shkuar vetë që të flasë me shokët e skuadrës dhe me trajnerin. Paska nevojë për avokat për ta bërë këtë?”

Ja edhe ish-kapiteni interist, Xhuzepe Bergomi. “Gjëja anormale këtu është tratativa me avokatin, – tha “Bepe”, – Spaleti e quajti të turpshme dhe ka të drejtë. Nuk ka rëndësi emri që është shkruar në shpinë, por stema në pjesën e gjoksit në fanelë. i jap 100 për qind të drejtë Luçianos. Unë kam qenë kapiten dhe e di se edhe pa shirit mbetesh i rëndësishëm. Fanela e Interit është e rëndësishme”.

Rikardo Ferri, një tjetër ish-mbrojtës i fortë i Interit të rekordeve të Trapatonit, dëshiron ta shohë sa më shpejt Ikardin në fushë, por shton se “ishte rasti që ai të sqarohej me shokët, dhe kjo ishte e domosdoshme, klubi duket se është dakord me vendimin e Spaletit”. Trajnerët Xakeroni dhe Andreacoli ishin në po këtë linjë: “Edhe ne do të silleshim si Spaleti”.

Sfidanti.al