Kush tha që një “Ikardi” e ka vetëm Inter, ç’po bën Dibala te Juvja?!

Mauro Ikardi ishte emri-simbol i problemeve të Interit në Itali, me sulmuesin që fillimisht ishte kapiteni i skuadrës, dhe që shpejt u kthye në një të padëshiruar, dhe barrë mbi shpinën e klubit të Serisë A. “Mos u bëfshi si Interi”, ishte bërë shprehja standarde në Apenine, por ja që edhe Juventusi i madh dhe i mençur e ka një rast “Ikardi”.

Kjo, sepse Paulo Dibala nuk ka ndërmend të largohet nga kampionët në Torino për të shkuar tek Mançester Junajtidi. Madje, duket se nuk dëshiron as Interin, që do ta bënte me gëzim shkëmbimin me Ikardin. Takimi me Paratiçin nuk ndodhi, dhe duket se nuk do të jetë e lehtë të bisedohet me argjentinasin. Nuk dihet nëse kjo është thjehst një dëshirë e Dibalës, apo një strategji për të arritur maksimumin e mundshëm në një transferim.

Kjo do të kuptohet ditët e ardhshme, por për momentin ka dhimbje koke për Sarrin dhe drejtuesit e Juventusit. Ndoshta, ai është i pakënaqur që piemontezët janë përqëndruar totalisht te Kristiano Ronaldo me portugezin që i ka zënë vendin e të përkëdhelurit të klubit e të tifozëve.

Sfidanti.al