Harri Megajer do të jetë lojtar i Mançester Junajtidit sezonin e ardhshëm, dhe ky nuk është një lajm i papritur. As që kartoni i tij do të kushtojë shumë, madje një rekord botëror për një mbrojtës, sërish nuk është habi, veçse shifrat deri ku është arritur i bëjnë njerëzit të venë duart në kokë.
Junajtidi do t’i paguajë Leisterit mbi 95 milionë euro, apo 85 milionë paundë stërlina, duke thyer rekordin e mbajtur nga Liverpuli që pagoi 85 milionë euro (75 milionë paundë stërlina) për Virgil Van Dajkun e Sauthemptonit. Kur arrihet në gati 100 milionë euro për një mbrojtës, padyshim që shifrat për sulmuesit do të shkojnë edhe më shumë “kacafiu”. Nejmari mban rekordin e të gjitha kohëve (dhe të të gjithë roleve), 222 milionë euro, por duke nisur nga sezoni i ardhshëm mund të ketë një thyerje të tij për Kilian Mbapenë apo ndonjë tjetër.
Megajer është një mbrojtës shumë i mirë, ndonëse nuk cilësohet si mbi nivelin e Van Dajkut apo De Ligtit, por nevoja e trajnerit Ole Gunar Solskjer ishte tepër e madhe, dhe tregu në Angli është tepër i shtrenjtë.
Sfidanti.al