Konte: Shuplakat duam që t’i japim, jo të na bëjnë sytë xixa!

Interi duhet të ketë filozofinë e trajnerit të tij. Kaq dhe pikë! Kështu thotë Antonio Konte, dhe zikaltërit duhet të jenë të tillë në Serinë A dhe në Champions. “Nuk kam ndërmend të ndryshoj idetë e mia, – theksoi tekniku, – të ndryshoj mendim do të thotë se vendosim 11 lojtarë në prapavijë, në pritje të topit, dhe në pritje të shuplakave që do të na japin. Unë dua që të jemi ne ata që të japim shuplakat”.

Shqetësimi më i madh i trajnerit është mungesa e përvojës, qoftë në Champions, apo në Serinë A, ku Interi prej kohësh nuk lufton për trofe. Po ashtu, Konte refuzon të flasë për mungesat e Dortmundit. “Unë nuk kam dëshirë të flas për mungesat tona, – tha ai, – kjo do të thotë se nuk dua të flas për dëmtimet e Dortmundit”. Duke analizuar ndeshjen e kampionatit në fushën e Sasuolos, trajneri deklaroi se “deri në rezultatin 4-2, ishte paraqitja jonë më e mirë, por minutat e fundit ishin me probleme sepse e humbëm topin shpesh”.

Sfidanti.al