Planet, natyrisht që, i ka në kokë, por nuk dëshiron t’i zbulojë. Antonio Konte është i vjetër në zanatin e futbollit, që të shkaktojë skandale të panevojshme, ndaj edhe e pret shkurt kur pyetet për emrat e sulmuesve të tij të rinj. Romelu Lukaku dhe Aleksis Sançez jepen nga mediat si blerjet e sigurta të Interit, të paktën të tentuara. Po trajneri i ri çfarë thotë?
“Nuk është koha e duhur për të folur për emra, – u shpreh Konte, – është e vështirë që unë të flas për këtë gjë. E sigurt është që unë kam një plan për të forcuar skuadrën”. Sa kohë ka ky plan në kokën e trajnerit, dhe sa kohë ka ai që diskuton me drejtuesit zikaltër, pas shpinës së Luçiano Spaletit (që, e ka ditur gjithçka shumë mirë, pasi e ka bërë edhe vetë në të kaluarën)?
Vështirë ta thuash, por për shembull lajmet janë që Antuan Grizman ka firmosur kontratë me Barcelonën që në mars të këtij viti, edhe pse deri tani palët bëjnë “be e rrufe” se nuk janë “të dashuruar” me njëri-tjetrin. Konte ka të drejtë kur thotë se më shumë e rëndësishme është të flitet për vullnetin dhe ambicien për triumf nga ana e lojtarëve, e trajnerëve dhe klubit, sesa për emra të veçantë. “Na duhet ambicie e madhe, vullnet i jashtëzakonshëm, të gjithëve ne në klub, që të zvogëlojmë diferencën nga skuadrat e kreut”, – ishin fjalët e tij.
Sfidanti.al