Duhet të kalojë me sukses edhe një pengesë dhe të paktën mund të ndihet i lehtësuar që luftoi deri në fund. Vërtet që Interi i Antonio Kontes nuk ishte rival siç duhet i Juventusit në garën për titullin kampion në Serinë A, por ndryshimi është i madh dhe diferenca me vendin e parë shumë më e vogël. Fitorja ndaj Napolit konfirmoi se zikaltërit po mbruhen edhe më shumë me mentalitet fitues, diçka që mungoi në humbjet me juventinët, në fushën e Lacios, si dhe në eleminimin nga Napoli në Kupë. A u kënaq trajneri zikaltër nga ajo që pa në “San Siro”?
“Padyshim që po, – tha Konte, – ne kishim përballë një skuadër të shkëlqyer, që ka sfiduar rregullisht për titull vitet e fundit. Jam i lumtur edhe sepse fituam, pas fitores së Atalantës, pra duke luajtur nën presion. Duhet të mësohemi me presionin, edhe pse sot po luftojmë vetëm për vendin e dytë. Djemtë luajtën shumë mirë dhe kam besim për të ardhmen. Sa për Mesin, është më lehtë të zhvendosësh katedralen e Milanos, sesa ta marrësh nga Barcelona”. Prova e karakterit për Interin do të jetë në ndeshjen e javës së fundit në fushën e Atalantës. Do të duhet të shmanget humbja, por edhe që të synohet fitorja, për të mos lejuar që Lacio t’imarrë vendin e dytë. Pastaj, sezonin e ardhshëm, do të luhet për titull.
Sfidanti.al