Barazimi me Romën mund të quhet edhe pozitiv, ndonëse qëllimi ishte afrimi sa më i madh me kreun. Interi ka një përmirësim, duke përballuar reagimin e vendasve e duke shmangur humbjen falë golit në fund të Romelu Lukakut me penallti. Gjithsesi, përmirësimi ende nuk mjafton, dhe për më tepër atmosfera në klub mund të përkeqësohet pas fjalëve të trajnerit Antonio Konte, ndaj drejtuesve, sidomos ndaj Bepe Marotës, duke e qortuar për neglizhim.
“Kalendari duket se është bërë për të dëmtuar sidomos Interin, – ishin fjalët e Kontes, – por, tek Interi këtë gjë mesa duket e shoh vetëm unë. Kur u përpilua kalendari, ne nuk ishim aty. Përsa i përket skuadrës, jam i kënaqur, pasi jemi në vend të dytë, të kualifikuar për në Champions 4 javë para fundit, ndërsa ekipe si Roma, Milani e Napoli kishin gjithashtu objektivat tanë. Nëse ne kemi zhvilluar sezon të dobët, po të tjerët? Thjesht, duhet të mësohemi më shumë për të luajtur siç duhet nën presion”.
Trajneri interist akuzoi edhe gjyqtarin, por sidomos VAR-in që lejoi të quhej goli i barazimit nga ana e Romës, ndërsa pretendoi se pati ndëhyrje të gabuar në dëm të Lautaro Martinezit në aksionin që solli rrjetën. Lombardët, gjithsesi, kanë rritje dhe Bepe Marota premton përforcime. Sipas tij, do të rikthehet Naingolan, e do të ketë përforcime të tjera, madje “La Gazeta delo Sport” bëri diversion pas një përqafimi të Lukakut me Edin Xhekon, për të theksuar se kapitenii Romës do të veshë fanelën zikaltër, ashtu siç u mendua verën e kaluar.
Sfidanti.al