Juventus, dëgjo thirrjen e Ronaldos dhe mos e ul kokën!

Ka edhe ditë të vështira, por kampionë të vërtetë janë ata që dinë t’i kapërcejnë sa më shpejt. Kristiano Ronaldo disa herë është bërë edhe filozofik, por edhe motivues këtë sezon, dhe nuk mungoi të përsëritej pas disfatës në Serinë A me Lacion. “Të mbahemi të fortë dhe të luftojmë së bashku deri në fund”, – ishte thirrja e superyllit portugez të Juventusit në rrjetet sociale, duke ftuar shokët e skuadrës dhe tifozët që të mos “qajnë” atë që iku, por të përqëndrohen tek ajo që vjen.

“Mos u mërzit për vështirësitë, – shkruante CR7-ta kur Mesi u shpall Lojtari më i mirë i botës nga FIFA, – sërish do të ketë një mëngjes dhe do të vijnë ditë të mira”. Thirrje të tilla menjëherë pas humbjes me Lacion u bënë edhe nga Bonuçi apo Dibala, ndonëse mbrojtësi i qendrës “tërhoqi veshin” për lojën në mbrojtje duke thënë se “nuk mund të pësojmë kaq shumë gola”. Juventusi mbetet 2 pikë prapa Interit në Serinë A, por është plotësisht në garë, ndërsa është i kualifikuar në Champions.

Sfidanti.al