Fitorja në fushën e Lacios ishte e madhe, e po ashtu edhe loja e Mauro Ikardit. Kapiteni shënoi dy gola, duke arritur në kuotën 6 në Serinë A, ndërsa Interi mori tri pikë duke u ngjitur në vend të dytë, në krah të Napolit. Çfarë duhet më shumë për të qenë i lumtur? Sulmuesi kryesor zikaltër nuk specifikon, por shprehet se “nuk jemi ende anti-Juventusi, pasi na duhet edhe diçka”. “Gjithsesi, po rritemi dhe jam shumë i kënaqur me atë që po bëjmë”, – është vazhdimi i Ikardit.
Besohet se kapiteni ka të drejtë, pasi Interi ka treguar se i mungon vazhdimësia juventine, po ashtu edhe vetë qendërsulmuesit i mungon qendrueshmëria, pasi në 5 javët e para të Serisë A nuk shënoi asnjë gol, ndërsa tani po i afrohet dy rivalevë për “Këpucën e Artë”, Piontekut (9) dhe Ronaldos (7). Ndërkaq, disfata në Champions në “Kamp Nou”, tregoi se skuadra e trajnerit Spaleti ende nuk mund të jetë anti-Barcelona dhe të pretendojë për trofeun e madh.
Sfidanti.al