Mauro Ikardi shënoi dy gola dhe tregoi se megjithë problemet me tifozët mbetet një sulmues i rëndësishëm, veçse Interi nuk duhet të jetë shumë i lumtur me fitoren ndaj Fiorentinës. Jo se nuk e meritoi, as për faktin se përsëri desh shpërdoroi një avantazh të madh (deri në 3 gola), por sepse këto tri pikë nuk mjaftojnë për të qenë pranë kreut. Trajneri Pioli mund të ndihet pak më i qetë, veçse edhe ai e di se zikaltërit nuk japin garanci. Me të njëjtën lehtësi që mund të fitojnë me Juventusin e Fiorentinën dhe mund të barazojnë me Milanin, edhe mund të eleminohen nga Liga e Europës apo ta pësojnë me Atalantën.
Në “San Siro” nisi si të ishte përrallë, me golin e Brozoviçit në 3′, pastaj të Kandrevës në 9′ dhe të Ikardit në 19′. Këtu nisi lëkundja, pasi Kaliniç shkurtoi diferencën në 37′. “Vjollcët” nuk u tutën aspak as nga kartoni i kuq për Rodrigezin në mbyllje të pjesës së parë, dhe shënuan golin e dytë me anë të Iliçiçit. Një ndeshje e vuajtur përfundoi mirë kur Ikardi në sekondat shtesë realizoi rrjetën e dytë personale, dhe të 12-ën në këtë sezon në Serinë A. Interi ka tani 21 pikë, sërish larg Juventusit (12 pikë), por edhe 8 pikë prapa zonës Champions.