Shumëkush e ka parë filmin e famshëm të Hollivudit. “Rasti i habitshëm i Benxhamin Batonit” është historia fantastike e një personazhi që lind i vjetër e rinohet, i bërë i pavdekshëm nga Bred Pit, ndërsa në futboll ekziston një personazh që i ngjan. Ky e ka emrin Zllatan Ibrahimoviç, autori i dy golave në fitoren 2-0 të Milanit ndaj Bolonjës në nisje të Serisë A.
Në moshën 39-vjeçare, gjigandi suedez jo vetëm që nuk ka ndërmend të tregojë shenja lodhjeje, por përkundrazi po bëhet më i fortë. Flasin shifrat, me 10 rrjeta në 12 ndeshjet e fundit me Milanin, ndërsa Ibra nuk ngurron ta shprehë vetë sesi ndihet. “Si ndihem? Si Benxhamin Batën, – thotë ai, – i lindur i vjetër, por kam qenë gjithnjë i ri. Asnjëherë plak!”
Legjenda nga Suedia, e me origjinë nga Ballkani, ka një ambicie që të shtyjë Milanin drejt kualifikimit për në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, për të synuar të vetmin trofe me klubet që nuk e ka fituar asnjëherë. Pse jo, të provojë të fitojë titullin në Serinë A, gjë që do të ishte e madhe, duke menduar dominimin kaqvjeçar të Juventusit dhe forcën e Interit.
“Ibra i pafundëm, – titullon me shkronja të mëdha “La Gazeta delo Sport”, – në moshën gati 39-vjeçare Zllatani shtyn përpara Milanin. Suedezi rrëzon Bolonjën me dy gola: Nëse do të kisha qenë më i ri, do të kisha shënuar më shumë!”
Ja edhe “Il Korriere delo Sporti”: Spektakël i Ibrës, Milani vrapon! Suedezi, protagonist i madh, dygolësh ndaj Bolonjës: Ndihem si Benxhamin Baton, të rinjtë më dëgjojnë!”
Sfidanti.al