Magjia e De Brujnit mahnit Angline, “më i miri pas Mesit e Ronaldos”!

Fitoi ekipi dhe largoi çdo dyshim, por një individi nuk mund t’i hiqet merita. Kevin De Brujni ishte në nivel të shkëlqyer për Mançester Sitin ndërsa ish-kampionia e Anglisë e nisi sezonin e Premier Ligës nën shenjën e suksesit. Triumfi 3-1 në stadiumin e Uolvesit nuk ishte ndër më të lehtët, të mos harrojmë se vendasit arritën çerekfinalen e Ligës së Europës, por edhe ata u dorëzuan përpara mesfushorit belg.

Kontributi i De Brujnit ishte një gol, katër gjuajtje në portë, një asist, 6 raste të krijuara, 6 krosime, 5 ndërhyrje të sakta, dhe në shumicën e tyre ishte numri 1 i ndeshjes. Jo më kot, ai u vlerësua sezonin e kaluar si lojtari më i mirë i vitit në Premier Ligë, duke lënë pas yjet e shkëlqyer të Liverpulit, Mane, Van Dajk e Henderson. Trajneri i tij, Pep Guardiola, nuk ngurroi të bënte një vlerësim të madh: Për mendimin tim, ai është lojtari më i mirë në botë pas Lionel Mesit dhe Kristiano Ronaldos.

Sfidanti.al