Trajneri serb është i njohur si djalë trim që nga ditët kur luante futboll në fushë, ndërsa nuk ka hequr dorë nga sjellja prej “garipi” edhe në stol. Skuadra e tij, Bolonja, ka një sfidë shumë të vështirë sot në orën 18:00 në Serinë A ndaj Interit, madje në “San Siro”, dhe ai u ngacmua nga gazetarët se “ndeshja është padyshim e vështirë”. “Po, – ishte përgjigja e Mihës, – është ndeshje e vështirë, por nuk e di nëse është më shumë për ne apo për Interin”. Një shaka kuptohet pasi Mihajloviçi e di se bolonjezët mund ta cilësojnë si duelin më të pamundur të sezonit përballë kampionëve, edhe pse ai do të bëjë çmos që ekipi i tij të luftojë për rezultat. “Interi është i fortë, por edhe sezonet e kaluara kemi treguar se dimë të matemi, – thotë ai, – Arnautoviç besoj se është gati, sepse përderisa ka luajtur 3 ndeshje radhazi në kombëtare, mund t’i bëjë edhe këtu”. Interi ka 7 pikë në 3 sfida, po aq sa Bolonja që ka dy ndeshje që nuk pëson gol.
Sfidanti.al