Fitore 6-0 me Fiorentinën? Gatuzo mendon menjëherë për Juventusin!

Pati mundësi të hidhej edhe përpjetë nga gëzimi, por nuk e bëri dhe nuk ka për ta bërë kurrë. Nuk është i tillë Xhenaro Gatuzo, që edhe pas një fitoreje 6-0 si kjo e Serisë A ndaj Fiorentinës, nuk tregohet euforik, madje as tepër entuziast. Pak a shumë si një mësues i rreptë, që mendon se nxënësit kanë bërë detyrën.

“Nuk ishte aspak e lehtë fitorja, pavarësisht rezultatit 6-0, – tha tekniku napolitan, – kur ishim 1-0 u rrezikuam që të barazoheshim, madje disa herë. Ospina bëri pritje të madhe (ndaj Riberisë), pastaj (vjollcët) goditën shtyllën. Diferenca jonë me ata ishte se ne i realizuam rastet që krijuam”. Gjithsesi, Gatuzo nuk dëshiron të shohë shumë prapa, por përpara. Napoli i tij disa herë ka bërë hapa të gabuar, ndonëse është në pozita të mira në renditjen e Serisë A, ndërsa të mërkurën është finalja e Superkupës ndaj Juves.

“Futbollin e mirë që luajtëm ndaj Fiorentinës duhet ta përsërisim në Superkupë, – është kërkesa e tij për lojtarët e kaltër, – fitorja dhe loja e bërë na ndihmojnë që të jemi më të qetë në prag të sfidës me Juventusin. Kundërshtar tjetër nga ky që patëm në kampionat, me lojtarë të mëdhenj, por duhet të luajmë për të fituar”.

Sfidanti.al