Fat i ndryshëm me pëlqimet në rrjetet sociale për Anjelin e Ikardin!

Sulmuesi (ende) i Interit u kryqëzua nga tifozët për një “më pëlqen” në një postim të ish-lojtarit të Barcelonës, Bojan Krkiç, që kujtonte sfidat e mëdha të Championsit ndaj Interit të Murinjos në 2010. “AniVARsario”, kishte shkruar Bojani, duke protestuar edhe pas 10 vjetësh për një gol të anuluar për Barçën në gjysmëfinalen e kthimit në “Kamp Nou”. Ikardi, sot tek Paris SG veçse në formë huazimi, e pëlqeu statusin dhe tifozët zikaltër “iu hodhën në fyt”.

Ndryshe puna me presidentin e Juventusit, Andrea Anjeli. Ai bëri “pëlqim” një postimi në Instagram të një tifozi të huaj juventin, që thoshte se “nuk duam që titulli të na jepet në tavolinë, ne nuk jemi Interi”. Tifozi e kishte fjalën për procesin e Kalçopolit në 2006, që i dha zikaltërve një titull të fituar më parë nga bardhezinjtë. Anjeli e kishte konfirmuar që më parë mendimin e tij, kur kishte bërë “pëlqim” në Tuiter për një mesazh tjetër që ishte kundër dhënies së titullit pa mbyllur kampionatin.

Sfidanti.al